Trump mban fjalimin në Davos: E dua Europën, por ajo nuk po shkon në drejtimin e duhur
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, rikthehet në Forumin Ekonomik Botëror në Davos gjatë mandatit të dytë, me kritika të forta për Europën.

Kritika për Europën dhe politikat energjetike
Në fjalimin e tij, Donald Trump u shpreh se e do Europën dhe dëshiron suksesin e saj, por sipas tij kontinenti “nuk po shkon në drejtimin e duhur”. Ai kritikoi ashpër politikat europiane të energjisë së gjelbër, duke i cilësuar si një “mashtrim i madh”, që ka çuar në rritje të fortë të çmimeve dhe ulje të prodhimit energjetik.
Trump përmendi Gjermaninë, ku sipas tij çmimi i energjisë është rritur me 64 për qind, si dhe Britaninë, e cila prodhon sot vetëm një të tretën e energjisë krahasuar me vitin 1999. Ai theksoi se Europa dhe Britania kanë rezerva të mëdha energjetike, por nuk po i shfrytëzojnë, duke dëmtuar ekonominë dhe konkurrueshmërinë.
Energjia, nafta dhe bashkëpunimi me Venezuelën
Presidenti amerikan deklaroi se çmimi i naftës ka rënë dhe se pritet të ulet edhe më tej në nivele që, sipas tij, nuk janë parë që nga administrata e tij e mëparshme. Trump tha se SHBA ka nisur bashkëpunimin me Venezuelën në sektorin e naftës dhe se vendi latino-amerikan do të përfitojë ndjeshëm nga ky bashkëpunim.
“Do ta ndajmë naftën me ta dhe ata do të bëjnë më shumë para nga sa kanë bërë ndonjëherë”, u shpreh Trump, duke vlerësuar lidershipin venezuelian si bashkëpunues, pa dhënë detaje konkrete mbi marrëveshjet.
Reaktorët bërthamorë dhe siguria energjetike
Trump njoftoi gjithashtu se ka firmosur aprovime për ndërtimin e reaktorëve bërthamorë në SHBA. Ai tha se më parë kishte rezerva për shkak të rreziqeve, por sipas tij progresi në siguri është “i shkëlqyer”, duke e bërë energjinë bërthamore të sigurt dhe me kosto të përballueshme.
Sipas Trump, politika e tij energjetike ka shmangur një kolaps energjetik në SHBA, ndryshe nga ajo që, sipas tij, po ndodh aktualisht në Bashkimin Europian.
Inteligjenca Artificiale dhe avantazhi amerikan
Presidenti amerikan deklaroi se SHBA po udhëheq botën në Inteligjencën Artificiale dhe se është përpara Kinës në këtë fushë. Ai theksoi se zhvillimi i AI kërkon dyfishin e energjisë aktuale dhe se administrata e tij u ka dhënë kompanive leje të përshpejtuara për ndërtimin e impianteve energjetike, me aprovime brenda dy javësh.
Trump shtoi se presidenti kinez Xi Jinping respekton përparimin e SHBA-së në këtë drejtim dhe se kompanitë e mëdha po investojnë masivisht në kapacitete të reja.
NATO dhe rëndësia strategjike e Groenlandës
Një pjesë e rëndësishme e fjalimit iu kushtua marrëdhënieve transatlantike, NATO-s dhe Groenlandës. Trump theksoi se SHBA ndan vlera të përbashkëta me Europën, por pret aleatë të fortë dhe të aftë për të mbrojtur territorin e tyre.
Sipas tij, Groenlanda është kyçe për sigurinë globale dhe askush përveç SHBA-së nuk është në gjendje ta mbrojë atë. Ai rikujtoi rolin e SHBA-së gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur sipas tij Danimarka nuk ishte në gjendje të mbronte veten dhe Groenlandën, ndërsa forcat amerikane ndërhynë për të ndaluar shtrirjen e armiqve në hemisferën perëndimore.
Trump deklaroi se pas luftës SHBA ia riktheu Groenlandën Danimarkës, një vendim që sot, sipas tij, shihet ndryshe për shkak të rreziqeve të reja globale dhe zhvillimit të armëve të reja.
Mesazh për Europën dhe botën
Në përfundim, Trump theksoi se suksesi ekonomik i SHBA-së është i mirë për gjithë botën dhe se vendet e tjera mund të mësojnë nga modeli amerikan. Ai u shpreh se administrata e tij ka reduktuar deficitin buxhetor, ka rritur tregjet dhe investimet dhe ka sjellë një transformim që, sipas tij, nuk është parë në një shekull.
“Kur Amerika ka ekonomi të fortë, është lajm i mirë për të gjithë botën”, përfundoi Trump në fjalimin e tij në Davos.
Burimi: Ballkan Web
Më të lexuarat






